|
Po ka një zgjidhje!- Perëndia e ka siguruar zgjidhjen. Thelbi i porosisë së Biblës përmblidhet në këto fjalë: Perëndia e deshi botën aq shumë, saqë e dha birin e tij të vetëm, që kushdo që beson në të, të mos vdesë, por të ketë jetën e përjetshme.
Më parë mësuam që Perëndia i shenjtë dhe i drejtë duhet ta dënojë mëkatin, por Bilbla gjithashtu na thotë se Perëndia është dashuri. Ndërsa Perëndia urren mëkatin, Ai i do mëkatarët dhe me dëshirë ua fal mëkatet. Por si mund një mëkatar të shfajësohet me drejtësi, ndërsa ligji i Perëndisë kërkon vdekjen e tij fizike e shpirtërore? Vetëm Perëndia mund ta zgjidhë këtë problem, dhe këtë e bëri duke dërguar Jezusin, Mesinë, për të shlyer mëkatet tona. Ati e dërgoi Birin e vet si Shpëtimtar në botë.
Perëndi-Biri u bë njeri duke u trupëzuar. Edhe pse Jezusi u bë plotësisht njeri, qëndroi gjithashtu plotësisht Perëndi. Bibla thotë se në Jezusin banon Perëndia me tërë begatinë e pranisë së tij. Ai qëndroi tërësisht Perëndi sikur të mos ishte bërë aspak njeri; Ai u bë plotësisht njeri si të mos ishte Perëndi. Prandaj Jezusi, Mesia, është unik dhe kjo vërtetohet në Bibël në shumë mënyra. Shtatzënia e tij ishte unike; nuk pati atë njerëzor, por u zu në mitrën e virgjëreshës nëpërmjet fuqisë çudibërëse të Shpirtit të Shenjtë. Fjalët e tij ishin unike. »Mësimi i tij u la dëgjuesve përshtypje të thellë, sepse fliste si njeri me fuqi të plotë nga Zoti. Mrekullitë e tij ishin unike: ai shëroi çdo sëmundje dhe lëngim në popull, dhe bile në disa raste, ringjalli të vdekurit. Karakteri i tij ishte unik: Ai u vu në provë po ashtu si edhe ne, e megjithatë nuk bëri mëkat kështu që Ati - Perëndi për të thoshte: Ky është biri im i dashur, të cilin e kam për zemër.
Vini re fjalinë e fundit! Kjo tregon se Jezusi në tërësinë iu përmbajt ligjit të Perëndisë, prandaj ai nuk ishte nështruar dënimit të dyfishtë të mëkatit. Por ky u arrestua me padi të shpikur, u dënua në bazë të dëshmisë së rreme, dhe në fund, u kryqëzua në Jeruzalem. Vdekja e tij nuk ishte fryti i rastësisë ose një aksident i pashmangshëm. Por kjo ishte sipas vullnetit të caktuar të Perëndisë. Ati - Perëndi e dërgoi të Birin me qëllim që të shlyejë dënimin e mëkatit me vdekjen e Tij. Jezusi erdhi vullnetarisht. Qëllimi i ardhjes së tij në botë, siç e tha edhe vetë ishte ky: Nuk erdha për t'u shërbyer, por për të shërbyer e për të flijuar jetën time si çmim për çlirimin e shumë vetave. Vdekja e Tij, si dhe jeta e Tij, ishte unike.
Kjo është shumë e rëndësishme që ta kuptosh çfarë ndodhi kur vdiq Jezusi dhe çfarë domethënie ka vdekja e tij për ty.
(Gjoni 3,16; 1 E Gjonit 4,8; 1 E Gjonit 4,14; Kolosianëve 2,9; Luka 4,32; Mateu 4,23; Hebrenjve 4,15; Mateu 3,17; Veprat 2,23; Mateu 20,28)
|