|
Kjo pyetje është themelore. Po të mbetet përgjigja në ne, pa dyshim ne do të tregoheshim shumë të paditur dhe injorantë. A mund t'i kuptosh thellësitë e Perëndisë? A e di madhështinë e të Gjithfuqishmit? Perëndia është jashtë kuptimit tonë. Prandaj ne kemi nevojë për të, që Ai vetë të na zbulohet dhe të na flasë.
Perëndia na flet e na zbulohet përmes KRIJIMIT. Qielli e shpall: Perëndia është i madh! Për fuqinë e tij krijuese dëshmojnë yjet. thotë Bibla. Tërësia e pakufijshme e gjithësisë, ekuilibri i saj i mahnitshëm, shumëllojshmëria dhe bukuria e saj tregon më së miri për Perëndinë që i krijoi të gjitha këto. Në atë që ka krijuar, Perëndia tregon fuqinë e mahnitshme, mençurinë madhështore dhe imagjinatën e pashoqe. »Askush, vërtet, nuk mund ta shohë Perëndinë; por Ai i zbulohet njerëzve me anë të veprave të tij. Ai është Krijuesi i botës dhe ata mund ta njohin fuqinë e tij të përjetshme si dhe qenësinë e tij hyjnore, në qoftë se duan të dinë për këtë çështje. Prandaj nuk kanë asnjë arsye për mosbesim.«
Kur ne komunikojmë me njëri-tjetrin, bazohemi tërësisht në fjalët që thuhen. Perëndia, gjithashtu, i flet njeriut me fjalë - me fjalën e Biblës. Afërsisht 4000 herë në Dhiatën e Vjetër (vetëm në pesë librat e parë pesëqind herë) do të gjeni shprehjet si p.sh.« Zoti foli«, » Zoti urdhëroi«,« Zoti tha«. Për këtë kemi parasysh dhe pohojmë se asnjë profeci e Shkrimit të Shenjtë s'e ka burimin në mendjen e njerëzve; sepse lajmi i profetëve nuk u hartua nga njerëzit. Profetët i zuri Shpirti i Shenjtë, dhe ata thanë atë që ua futi në mendje Perëndia.
Në asnjë letërsi tjetër nuk gjejmë profeci më të qarta dhe më me hollësi që i folën njerëzit që pohonin se flitnin nga ana e Zotit, dhe të cilat u realizuan me përpikmëri. Gjasat kundër realizimit të këtyre profecive janë tepër të mëdha për të qënë fryti i rastësisë.
Tashti le të shohim ndikimin e Biblës në jetën e njerëzve. Asnjë libër tjetër s'ka pasur fuqi më të madhe se sa Bibla për të ndryshuar jetën e lexuesit. Për shekuj me radhë, me miliona njerëz kanë përjetuar dhe provuar personalisht se Ligji i Zotit është i përsosur dhe të jep forcë e fuqi. Urdhëresat e Zotit janë të besueshme, i ndihmojnë njerëzit të sillen mirë. Kërkesat e Zotit janë të drejta, dhe ta gëzojnë zemrën. Udhëzimet e tij janë të kthjellta, dhe të bëjnë të shohësh qartë. Fjala e tij është pa mashtrim, qëndron përgjithmonë.
Kanë kaluar afro 2000 vjet dhe asnjë ekspert i çdo fushe në jetë nuk ka mundur të hedhë posht asnjë thënie të Biblës. Përse ndodh kjo? Arsyeja është se: i tërë Shkrimi i Shenjtë është frymëzuar nga Perëndia. Prandaj ne duhet ta pranojmë atë jo si fjalë njerëzish, por siç është në të vërtetë - fjala e Perëndisë.
(Jobi 11,7; Psalmi 19,1; Romakëve 1,20; 2,E Pjetrit 1,21; Psalmi 19,7-8; 2 Timoteut 3,16; 1 Selanikasve 2,13)
|